Menaxhimi i Etikës në Policinë e Shtetit (draft)

Back to Posts

Rekomandimi Rec.(2001)10 i Komitetit të Ministrave, për vendet anëtare, mbi Kodin Evropian të Etikës Policore

Një vështrim në rolin e policisë në demokraci nxjerr në pah rëndësinë e një kodi të etikës për policinë. Njerëzit në demokraci kanë organizuar shtetin në një mënyrë të tillë që të kenë liri maksimale për veten e tyre brenda kuadrit të shtetit ligjor. Po kështu, janë hartuar sisteme të drejtësisë penale me qëllim që të garantohet liria dhe siguria e individit. Në një shoqëri demokratike të sunduar nga forca e ligjit, policia ka funksionet tradicionale të parandalimit, luftës dhe zbulimit të krimit, duke ruajtur rendin publik dhe duke mbrojtur të drejtat themelore të individit. Përveç kësaj, në shoqëri të tilla policia kryen për publikun edhe disa shërbime të tjera, të cilat janë të karakterit social dhe që mbështesin aktivitetet e tjera të policisë. Policisë i jepet me ligj e drejta për t’i kryer këto funksione. Policia në demokraci ndihmon të ruhen vlerat e demokracisë, me të cilat është mbrujtur vetë policia.

Në përgjithësi, publiku pranon dhe, në fakt, mirëpret ushtrimin e autoritetit legjitim, për aq kohë sa policia i kryen detyrat e saj për plotësimin e synimeve demokratike në një mënyrë të pranueshme. Nga ana tjetër, në kuadrin e kryerjes së këtyre funksioneve policia ka të drejtë të shpresojë se publiku do të ketë besim se ajo do t’i kryejë siç duhet detyrat e saj dhe se do ta mbështesë dhe do të bashkëpunojë me policinë në realizimin e këtyre detyrave. Këto ide për punën e policisë në një demokraci janë me rëndësi esenciale.

Një kod i etikës policore mund të funksionojë si një instrument rregullator për organizimin e brendshëm të policisë. Kjo është një nga karakteristikat dalluese të “Kodit Evropian të Etikës Policore”. Duke përcaktuar standarde, vlera dhe një kuadër minimal etik, kodi mund të kryejë të paktën katër funksione: ndihmon në kontrollin cilësor të punës së personelit policor (duke përfshirë personelin civil); ndihmon në ushtrimin e drejtimit, menaxhimit dhe mbikëqyrjes; rrit përgjegjshmërinë e zyrtarëve të lartë të policisë dhe ofron norma për gjykimin e dilemave dhe mosmarrëveshjeve të brendshme.

Etika e profesionit, ka një kohë të gjatë që po ndjehet si një nga burimet praktike të dobishme, të projektuara posaçërisht për rritjen e efektivitetit dhe efiçiencës së punës së drejtuesve dhe
menaxherëve‐pra të atyre njerëzve që kanë përgjegjësi dhe detyrë të garantojnë realizimin e praktikave vendimmarrëse dhe operacionale në organizatat e tyre. Për fat të keq, mjaft nga burimet teorike dhe sugjerimet praktike kanë qenë formuluar në formën e rekomandimeve dhe zgjidhjeve për sferat e kritikës filozofike, sociologjike dhe akademike. Për këtë arsye drejtuesve dhe menaxherëve u duhet të bëjnë mjaft përpjekje dhe studime të sforcuara për të mundur që këto burime të mund t’i përdorin në realitetin e punës së tyre në praktikën e përditshme. Gjithashtu, mjaft nga këto resurse të sistemuara teorike rreth etikës së punës përmbajnë ngjarje dhe shembuj sensacionalë rreth rasteve kur puna ka “shkuar keq”‐ duke krijuar përshtypjen sikur etika ka të bëjë vetëm me rastet kur situatat nuk janë normale ‐ ose janë të tejzgjatura dhe të tejmbushura me moralizime dhe rekomandime si “të bëhen gjërat mirë”. Resurse të tilla shpesh eksplorojnë çështje të thjeshta etike si psh “a duhet që një punonjës të përjashtohet nga puna për keqsjellje dhe vendime joetike?, ndërsa bota reale e drejtuesve dhe e menaxherëve dhe marrëdhëniet e tyre me punonjësit që drejtojnë, janë shumë më komplekse se kaq.

Back to Posts